Meditimi dhe ndikimet e tij në shëndet          

Meditimi dhe ndikimet e tij në shëndet   

Tashmë është e mbështetur shkencërisht se praktikat e meditimit sjellin një sërë përfitimesh te aplikuesit e tyre. Shkaqet që i çojnë njerëzit drejt meditimit janë të ndryshme; dikush ka nevojë të reduktojë nivelin e stresit, të ankthit dhe të qetojë mendjen.

Me qindra janë studimet që dokumentojnë përfitime të tjera më pak të njohura të praktikës që njihet dhe si “mindfulness meditation, e cila sjell ndikime pozitive në shëndetin mendor, fizik, dhe atë emocional.

Ndikimi i meditimit në shëndetin mendor

Disa efekte pozitive që shkakton meditimi në shëndetin mendor janë: rritja e vetëdijes, qartësi më e madhe, një ndjenjë qetësie dhe sidomos përmirësim i fokusit. Teknologjia, bumi i informacionit që vërshon nga të gjitha anët kanë ndikuar në uljen e përqendrimit dhe të fokusit.

Rezultatet e një studimi të Universitetit të John Hopkins tregojnë se programet e meditimit lehtësojnë simptomat psikologjike të depresionit, ankthit, dhe dhimbjen që shkaktohet nga stresi.

Gjithashtu meditimi ndikon në përmirësimin e kujtesës duke luftuar kështu humbjen e kujtesës në moshë të shtyrë ose sëmundje si demenca. Ai ndihmon dhe në të qenit të fokusuar për një kohë më të gjatë.

Përfitimet fizike

Për të kuptuar përfitimit fizike që vijnë nëpërmjet meditimit është e rëndësishme të bëhet e qartë se stresi mund të sjellë dëme në trup.

Stresi stimulon sistemin nervor simpatik duke çliruar një valë hormonesh natyrale të stresit si epinefrina dhe kortizoli që mund të ndikojnë në trup negativisht. Për shembull, epinefrina e njohur dhe si adrenalinë mund të rrisë rrezikun e sulmeve në zemër dhe të goditjes së veshkave. Kortizoli në sasi të mëdha mund rrisë nivelet e sheqerit në gjak, të dobësojë sistemin imunitar dhe të shtrëngojë enët e gjakut. Hormonet e stresit në nivele të larta çojnë në rritje të tensionit të gjakut, ritmit të zemrës, niveleve të kolesterolit, duke sjell rënie të imunitetit, të nivelit të energjisë dhe probleme me gjumin.

Kur trupi dhe mendja janë të relaksuara prej meditimit ose përdorimit të teknikave të tjera, sistemi nervor parasimpatik stimulohet duke bërë që trupi të ndalojë lirimin e hormoneve të stresit. Sipas një studimi nga Universiteti i Kalifornisë, Davis, njerëzit që përdorin programe të përgjithshme të meditimit kanë nivele më të ulëta të kortizolit.

Si ndikon meditimi në përmirësimin e gjendjes sonë emocionle?

Truri është pjesa e trupit ku meditimi vërtet mund të ushtrojë magjinë e tij. Ne bëhemi më të aftë për të përballuar emocionet negative kur meditojmë. Por një nga përfitimet më të fuqishme të meditimit është ndryshimi që ai bën jo vetëm në mendësinë dhe perspektivën tonë, por edhe në trurin tonë, duke na drejtuar te mendimet dhe emocionet pozitive.

Meditimi mund të zvogëlojë lidhjet neurologjike negative me korteksin prefrontal medial — ose “qendrën” e trurit — duke ulur ndjesi si frika, stresi, dhe ankthi. Ndërsa nga ana tjetër gjithashtu ndërton lidhje neurologjike pozitive të reja në pjesët e trurit përgjegjëse për fokusin, marrëdhëniet etj.

Kërkimet në këtë fushë tregojnë se zona e trurit përgjegjëse për rregullimin emocional, planifikimin dhe zgjidhjen e problemeve si dhe trashësia kortikale, përgjegjëse për të mësuarin dhe kujtesën, rriten me praktikimin e rregullt të meditimit. Nga ana tjetër, amigdala, e cila është përgjegjëse për mënyrën se si ndjehemi, për stresin, frikën, ankthin, reagon gjatë meditimit duke reduktuar secilën prej tyre.

Kur ne trajnohemi që të meditojmë bëhemi më të vetëdijshëm për momentin aktual, jemi të aftë të distancohemi nga mendimet dhe emocionet negative dhe ndihemi më mirë në atë moment që po jetojmë.

Nëse dëshironi të keni një jetë më të qetë, me më pak ankth, stres dhe me më shumë fokus ky është momenti që të nisni ndonjërën nga praktikat e meditimit.

“Është një zë që nuk i përdor fjalët. Dëgjoje”, thotë me të drejtë dhe poeti i madh i shekullit XIII, Rumi. Me fuqinë e tij, meditimi të çon përtej çdo kufiri, në nivele të reja të kuptimit dhe të vetëdijes.

Follow Us

Recent Posts

Video of the Year