Marrëdhëniet luajnë një rol të madh në lumturinë dhe suksesin tonë në vendin e punës, madje prekin edhe shëndetin dhe jetëgjatësinë. Me zgjerimin e impaktit të mediave sociale dhe rritjen e përdorimit të tyre, njerëzit janë lidhur virtualisht më shumë se kurrë më parë, megjithatë bota po kalon atë që disa ekspertë e quajnë “epidemi të vetmisë”. Vetmia ndikon te njerëzit në punë, duke i bërë më pak produktiv, të pakënaqur, si dhe duke lënë gjurmë në shëndet.
Me kalimin e viteve njerëzit kanë humbur dëshirën për të ndërtuar raporte të qëllimshme me të tjerët, si dhe nuk i dedikojnë kohë mjaftueshëm ndërtimit të marrëdhënieve dhe njohjeve.
Nuk është e lehtë të krijosh një rrjet njerëzish që të mbështesin. Duhet të jesh prezent në raportet me ta, të dëgjosh qëllimet, ëndrrat e tyre, të kontribuosh duke i ndihmuar që t’i bëjnë realitet ato qëllime. Reciprociteti është gjithashtu i rëndësishëm dhe të qëndruarit në kontakt për një kohë të gjatë.
Shmangni bisedat e vogla dhe të parëndësishme, sidomos rreth motit
Ju lidheni më shumë me të tjerët kur mësoni për interesat e tyre, çfarë i motivon ata, si dhe kur gjeni të përbashkëta mes jush. Shumë njerëz janë të lumtur të flasin për veten dhe të ndajnë pikëpamjet e tyre me të tjerët. Ky proces i bën ata padyshim më të afërt dhe të interesuar për ta vazhduar marrëdhënien.
Pjesa dërrmuese e njerëzve bëjnë gabimin që zgjedhin të flasin për motin, veçanërisht me njerëz që sapo i kanë njohur. Një bisedë që nuk të çon askund dhe që nuk tregon asgjë për personalitetin e tyre. Mënyra më e mirë se si mund të lidheni me të tjerët është duke i pyetur.
Përdorni teknologjinë në mënyra të reja për të krijuar lidhje me të tjerë
Teknologjia është kthyer tashmë në një realitet të pashmangshëm në vendet e punës. Në vend që të qëndroni stoik dhe të përpiqeni të ruani mënyrat e vjetra të ndërveprimit, është e rëndësishme të kërkoni zgjidhje se si ta përdorni teknologjinë për të gjetur mënyra të reja për t’u lidhur me të tjerët. Me anë të teknologjisë mund të ndërveprosh me një bashkëpunëtor tëndin ose të njohësh njerëz të rinj, pa qenë nevoja e bashkëndarjes së të njëjtës hapësire fizike.
Përpara se të kërkoni njerëzit e duhur për të krijuar kontakte me ta, mendoni për qëllimet dhe objektivat tuaja vjetore. Nuk duhet të mendoni vetëm se si këto njerëz mund t’ju ndihmojnë ju për arritjen e qëllimeve, por edhe se si ju mund t’u shërbeni atyre dhe të vendosni me ta një marrëdhënie reciprociteti. Ji një dëgjues i mirë dhe i vëmendshëm dhe vepro në bazë të informacionit që merr. Gjithkush do të dëshironte të bashkëpunonte me dikë që i kthen diçka mbrapsht dhe që qëndron aktiv në bisedë dhe ndërveprim.
Krijimi i një rrjeti të fuqishëm njerëzish me të cilët bashkëndan informacion dhe përvoja është tejet i rëndësishëm për suksesin tënd profesional.