Si t’i shpëtosh stresit në punë? Ndiq këto 9 hapa

Në vitet që jetojmë, fjalën stres e dëgjojmë të përdoret rëndom, veçanërisht për çështje që lidhen me punën. Kjo ndodh ndonëse shkak kryesor për nxitjen e stresit bëhet mënyra se si e menaxhojmë veten dhe cilësia e raporteve që kemi ndërtuar me të tjerët. Dembelizmi është ai që i mban më së shumti njerëzit pengje të situatave që duan t’u shmangen. Dembelizmi për të kërkuar zgjidhje më të mira, për t’u përmirësuar. Mos prit që mjedisi rreth teje ta bëjë ndryshimin. Njerëzit ndryshojnë vetëm kur thirrja iu vjen së brendshmi. Por ti po, ti ke në dorë të bësh më mirë për veten tënde, mjafton të çohesh prej “karriges së ankesës” dhe të nisesh drejt zgjidhjeve.

Stresi i lartë mund të bëhet shkaktar i dhimbjeve fizike, por edhe i keqësimit të shëndetit mendor. Dhimbjet e kokës, tensioni në muskuj, tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet e zemrës, janë disa prej pasojave fizike që mund të ndiesh, ndërsa ankthi, depresioni, ulin ndjeshëm cilësinë tënde të jetesës. Produkt i kësaj gjendjeje të vazhdueshme stresi dhe ankthi është dhe rënia e rezultateve. Një njeri i pafuqishëm, i palumtur, pa energji, i frikësuar, nuk mund të prodhojë asnjë rezultat për të qenë. Për shkak se gjetja e një pune që nuk e stimulon stresin është thuajse e pamundur, mënyra se si mund ta reduktosh atë është duke rritur efektivitetin në aktivitetet e përditshme.

Një rutinë pozitive mëngjesi, të qenit më i qartë rreth kërkesave në vendin e punës, përdorimi i teknikave më efikase rreth menaxhimit të kohës dhe strategji të tjera që do të përmend më poshtë mund të përmirësojnë gjendjen tënde emocionale përgjatë ditës.

1.Dielli shihet që në mëngjes

Vrapi i mëngjesit për të ushqyer fëmijët, për t’i çuar ata në shkollë, bashkë me trafikun në rrugë dhe një kafe të rrufitur shpejt e shpejt, në vend të konsumimit të një mëngjesi të shëndetshëm, ndikon që shumë njerëz të arrijnë në punë në gjendje të stresuar. Një mëngjes stresues e rrit predispozitën për të ndierë edhe më shumë ngarkesën që do të duhet të përballosh në vendin e punës, duke rritur për rrjedhojë edhe stresin. Kur e planifikon nisjen e ditës, ushqehesh mirë dhe ruan një qëndrim pozitiv, redukton gjithashtu stresin në punë.

Për një jetë me më pak stres, eja në “I love my Business”: Regjistrohu këtu!

2.Qartësohu për atë që pritet nga ty

Paqartësia rreth detyrave që duhet të kryesh, pozicionit që ke dhe asaj që pritet të realizohet nga ti, ndikon drejtëpërdrejë në gjendjen tënde të brendshme. Nëse ke ndonjë paqartësi për punën që duhet të kryesh dhe për rezultatet që priten prej teje, komuniko me eprorin tënd dhe diskuto jo vetëm për atë që duhet të bësh, por edhe për strategjitë që mund të ndiqen në mënyrë që të arrihen me sukses të gjithë qëllimet e vendosura.

3.Shmang konfliktet me kolegët

Marrëdhëniet ndërpersonale ndikojnë në gjendjen tënde fizike dhe emocionale. Edhe pse në një punë që ka intensitet dhe ndërveprim me të tjerët, duket e pamundur të shmangësh tërësisht konfliktet, bëj më të mirën që të shmangësh të paktën ato që ke vetë në dorë. Si mund ta arrish një gjë të tillë? Duke u përfshirë më pak në thashetheme, duke mos ndarë pikëpamje të forta rreth çështjeve të nxehta si feja dhe politika, si dhe duke mos e tepruar me humorin e zi apo fjalë të tepërta që mund të cënojnë dikë.

4.Planifiko dhe organizo ditën tënde

Këtë rekomandohet ta bësh që një ditë më parë. Të papriturat gjithmonë do të të ndjekin gjatë një dite pune, por është ndryshe kur e gjithë dita jote është në një pikëpyetje të madhe që në nisje. Organizimi i detyrave më të rëndësishme të ditës dhe vendosja e tyre sipas prioriteteve do e reduktojë ndjeshëm stresin në punë.

5.Bëje hapësirën tënde të punës sa më të rehatshme

Është detyrë e sipërmarrësve të krijojnë kushte komode për të punësuarit, në mënyrë që produktiviteti i tyre të rritet, por edhe ti mund të jesh kërkues në këtë drejtim dhe të bësh përpjekje për ta përmirësuar ambientin tënd. Efekti i një karrigeje të parehatshme mund të mos ndihet në 10 minuta apo gjysmë ore punë, por pas disa ditësh ose muajsh, dhimbjet e shpinës do të bëhen shqetësuese dhe nuk do të lënë të punosh i qetë. Zhurmat, bisedat përreth, gjithashtu bëhen shkak i shpërqendrimeve dhe shkëputjeve të herëpashershme nga puna, të cilat padyshim kanë pasoja në produktivitet. Përpiqu që mjedisi rreth teje të jetë sa më relaksues dhe i qetë.

Mendo, Ndrysho, Fito është trajnimi që me transformimin e mënyrës së të menduarit, do e largojë përgjithmonë stresin nga jeta jote: Regjistrohu këtu!

6.Zgjidh t’i ndash detyrat e tua në pjesë më të vogla, në vend që t’i marrësh përsipër të gjitha njëherësh

Mitit të ‘multitasking’ i ka ardhur fundi. Në fillim mendohej se kjo praktikë pune do të sillte më shumë efiçencë, por rezultoi që saktësia nuk ishte më e njëjtë dhe as produktiviteti. Gjithashtu stresi i lartë nga kryerja e disa detyrave njëkohësisht bën që fokusi të mos jetë i plotë dhe as rezultati ai i prituri. Ndaji detyrat në disa pjesë dhe puno duke u fokusuar te secila prej tyre në veçanti. Kjo praktikë pune do e rrisë ndjeshëm nivelin tënd të performancës, si dhe do të kontribuojë në një shëndet mendor më të mirë.

7.Bëj ushtrime fizike gjatë kohës së pushimit

Jeta sedentare shkakton jo vetëm probleme shëndetësore, por edhe një rënie të energjisë gjatë ditës. Në pushimin e drekës zgjidh të ecësh dhe të bësh ushtrime fizike, të cilat mund t’i ndjekësh dhe gjatë gjithë ditës duke marrë pushime të shkurtra.

8.Bëj më të mirën tënde dhe vlerësoje veten për kontributin që jep

Bëj më të mirën që mundesh në atë moment të dhënë të ditës, pa qenë perfeksionist dhe maniak i detajeve. Veçanërisht në një vend pune ku duhet t’i kryesh detyrat sipas një ritmi të shpejtë, herë pas here mund të të ndodhë që mos të jesh në formën tënde më të mirë, por pavarësisht kësaj duhet të vlerësosh veten për përpjekjen tënde. E rëndësishme është që në çdo kohë të bësh më të mirën që ke mundësi, duke shmangur presionin e të qenit gjithmonë perfekt.

9.Dëgjo muzikë rrugës për në shtëpi

Nise ditën që në mëngjes me muzikën tënde të preferuar. Mundësisht këngë, të cilat të japin energji për ditën dhe zgjojnë ndjesitë e tua më të mira. Lëre muzikën të të shoqërojë gjatë gjithë kohës. Pas një dite të lodhshme në punë, meloditë dhe këngët e parapëlqyera do të të largojnë një pjesë të peshës dhe stresit të akumuluar gjatë ditës.

Për sa kohë si të rritur na ngarkohen përgjegjësi dhe kemi pritshmëri të caktuara për atë që kërkojmë të arrijmë dhe që duam të jemi, stresi do të shfaqet herë pas here në sfond. Por janë veprimet tona, puna që bëjmë në mënyrë të vetëdijshme me veten, të cilat e reduktojnë atë dhe na japin mundësinë të frymojmë lirshëm.

Follow Us

Recent Posts

Video of the Year