Motivimi është e gjithë fuqia e brendshme që e mbush njeriun me energji dhe dëshirë për të realizuar synimet që ai ka. Kur motivimi mungon, nisin shpërqendrimet, ankesat, të cilat çojnë në rënie të produktivitetit. Veçanërisht për njerëzit që drejtojnë sipërmarrje është tepër e rëndësishme t’i mbajnë punonjësit të motivuar, si dhe t’i bëjnë ata që ta duan punën e tyre. Ndonjëherë janë rrethanat në jetën personale që e pengojnë një punonjës të japë më të mirën e tij, por gjithashtu mund të jenë pakënaqësirat në mjedisin e punës ato që po prekin rezultatet. Në çdo rast duhet të jesh në dijeni të këtyre motiveve, pasi përveç anës njerëzore, në fund të ditës është cilësia e tyre e punës që mund ta ngjisë kompaninë tënde drejt majës ose ta fundosë në greminë. Nëse e ardhmja e biznesit tënd ka rëndësi për ty, atëherë shko dhe hidhu një sy punonjësve. Bëje këtë jo për t’i përgjuar ata, por për t’i kuptuar. Një gjë është e sigurt, që pas një punonjësi të pamotivuar fshihet gjithmonë një lider që nuk njeh nevojat e tij.
Siguria në punë është një prej pikave që i nxit punonjësit të kenë një performancë të lartë dhe që i lehtëson prej një barre të rëndë, siç është pasiguria për të ardhmen. Sipas psikologut amerikan Abraham Maslow, tre nevojat kryesore që njerëzit duan të përmbushin janë ato për ushqim, strehim dhe siguri. Në rastin e një punonjësi, pagesa dhe siguria që gjen në vendin e punës, e motivojnë atë të punojë më fortë dhe ta konsiderojë mundësinë e të qëndruarit për një kohë më të gjatë. Një kompani që ofron siguri, është ajo që ndjek politika të brendshme, të cilat mbrojnë interesat e punonjësve. Gjithashtu një mjedis i qëndrueshëm pune, një kompani në lulëzim, shton edhe më sigurinë për të ardhmen.
Një tjetër pikë me rëndësi është identiteti. Qëllimet, dëshirat, interesat dhe ambiciet e njerëzve janë të ndryshme. Shumë njerëz e identifikojnë veten edhe me vendin e punës. Për ta është e rëndësishme që të jenë pjesë e një skuadre fituese, një kompanie që i bën të ndjehen krenarë kur e përmendin. Gjithashtu edhe pozicioni që kanë brenda kompanisë, titujt, mënyra se si vlerësohen janë faktorë identifikues. Kur të gjitha këto janë në përputhje me mënyrën e si e shohin ata veten, rritet edhe motivimi për të investuar kohë më gjatë brenda kompanisë. Plotësimi i nevojave të tyre do të reflektohet edhe në performancë.
Nëse dëshiron të motivosh veten ose skuadrën tënde, eja në “I Love My Business“
Stimulimi i vazhdueshëm i punonjësve nëpërmjet sfidave të reja në punë, angazhimi në përvoja emocionuese për to, ndikon edhe në motivimin që do të kenë. Puna rutinore e vdes dëshirën dhe çon në regres. Mësimi i aftësive të reja është gjithashtu jetik për vetëvlerësimin e punonjësve, si dhe u hap atyre dritare të reja në profesion, mundësi për të qenë më shumë dhe për të bërë më shumë. Pozicioni yt si lider brenda kompanisë është solid në momentin që identifikon këto nevoja të brendshme dhe adreson plotësimin e tyre.
Mospërputhja e vlerave nga ana tjetër çon në rënie të motivimit për të kryer një punë. Kur punonjësit i ngarkohet një detyrë që nuk e vlerëson dhe nuk lidhet me interesat e tij, mundësitë që ta tërheqë atë punë zvarrë dhe ta bëjë pa dëshirë e përkushtim, janë të mëdha. Është e rëndësishme që detyrat të përputhen me pikat e forta dhe aftësitë e punonjësit, siç mund të jenë aftësitë analitike, komunikimi i mirë, puna në grup apo ajo individuale etj. Rëndësia dhe pesha e një detyre për realizimin e një misioni madhor të kompanisë, ka gjithashtu impakt në zgjimin e motivimit të tij. Bëjini punonjësit të ndihen të rëndësishëm, duke e vlerësuar angazhimin dhe kontributin që japin.
Ndonjëherë ndodh që punonjësit të mos kenë besim në kapacitetin e tyre për kryerjen me sukses të një detyre. Është detyra juaj t’u rikujtoni sukseset e mëparshme, raste analoge të cilët në situata të ngjashme, jo vetëm i kanë marrë detyrat përsipër, por edhe i kanë përfunduar ato me sukses.
Nëse nuk i ke bërë të gjitha këto dhe i sheh punonjësit thjesht si një objekt që i shërben qëllimit tënd, atëhere qëndro në pritje të suksesit sepse ai nuk do të vijë asnjëherë. Dashurinë për kompaninë, veten tënde dhe qëllimet tua e tregon përmes vëmendjes që i kushton atyre që janë bërë pjesë e realizimit të misionit tënd të madh. Çdo qenie njerëzore, pavarësisht pozitës në hierarki, udhëhiqet dhe motivohet prej përmbushjes së të njëjtave nevojave. Një lider i suksesshëm është ai që e quan çdo detyrë të rëndësishme dhe që i jep vlerën e duhur kujtdo që është i angazhuar brenda sistemit.
Vetëm njerëzit e motivuar do të mund të bëjnë diferencën!